Ballina Aktualitet

Vrasja e Alfred Dedjas, SPAK: Viktima nuk është i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hedhur poshtë deklaratat që e lidhin Alfred Dedjan, i cili u vra mbrëmjen e së dielës (1 dhjetor) në Ndroq, me një ngjarje që daton në vitin 2020, e që po hetohet nga SPAK.

Sipas SPAK, deklaratat në media janë të pavërteta, ndërsa shton se Alfred Dedja, nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prengës.

“Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr. 60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, Alfred Dedja nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020”, njofton SPAK.

SPAK nënvizon se emri i tij nuk rezulton të ketë qenë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden”, në Shijak, pronë e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.

“I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “Arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njofton SPAK.

Sipas SPAK “në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen, ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden””.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën me dije se i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të Policisë, si organi përgjegjës për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti: Bandat kriminale e kanë humbur veriun, prandaj po bëjnë sulme të tilla terroriste
Artikulli tjetërBerisha: Rroga mesatare do të jetë 1200 euro, Ballkani i Hapur shkatërroi mijëra ferma