LONDËR, 2 dhjetor /ATSH-DPA/ – Asnjë armëpushim nuk mund të arrihet në Gaza pa përfshirë kthimin e pengjeve nga Hamasi, deklaroi sot kryeministri britanik, Keir Starmer.
Starmer tha se ”qeveria laburiste vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza”, duke shtuar se ”nuk ka armëpushim të denjë pa kthimin e të gjithë pengjeve”.
Hamasi ende mban rreth 100 pengje izraelite brenda Gazës, të paktën një e treta e të cilëve besohet se kanë vdekur, pas sulmit të tij në Izraelin jugor në tetor 2023.
“Kjo qeveri vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, për të lehtësuar lirimin e pakushtëzuar të të gjithë pengjeve të mbetura dhe një valë ndihme humanitare dëshpërimisht të nevojshme”, shtoi Starmer.
Ai tha se qeveria e tij është “pro izraelite, pro palestineze dhe pro paqe”.
”Aleatët tanë do të jenë të gjithë ata, izraelitë apo palestinezë, që kërkojnë të çojnë përpara kauzën e pajtimit, paqes dhe përparimit”, përfundoi Starmer./ /os/























