Ballina Flash

Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, KOSTT: Furnizimi me energji i sigurt

PRISHTINE, 30 nëntor/ATSH/ Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT sh.a ka njoftuar se shpërthimi i mbrëmshëm në kanalet e ujitjes në Ibër Lepenc në Zubin Potok, nuk ka asnjë ndërlidhje me ndërprerjet e energjisë që lidhen me NS Prishtina 1, të shkaktuara nga incident i lokalizuar.

Sipas KOSTT, ekipet e tyre janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin e sigurtë të sistemit të energjisë elektrike.

Kanali i Ibër-Lepencit dërgon ujë që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

Një shpërthim ndodhi mbrëmë në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Bandat kriminale me mbështetje të Beogradit zyrtar thuhet se janë prapa këtij shpërthimi në veri të vendit.Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv. /KosovaPress/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak15 kilogramë eksploziv në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, Policia e Kosovës kontrolle në disa shtëpi në Zubin Potok
Artikulli tjetërKosova mbledh Këshillin e Sigurisë, masa shtesë për sigurinë