TIRANË 30 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar sot në episodin 12 të Sezonit 3 të Podkastit FLASIM, të quajtur “Rikthim në Qelizë”, një çift nga Durrësi që janë kthyer nga Kanadaja dhe kanë çelur biznesin e tyre në Shqipëri.
“Sot do të flasim së bashku me një çift që iku dhe u kthye dhe më vjen mirë që na jepet mundësia të flasim për dy persona konkretë ndër jo pak të tjerë dhe pse janë më shumë ata që janë larguar apo largohen nga ata që janë kthyer apo kthehen sesi “çuditërisht” atyre që janë kthyer dhe kthehen iu del më mirë dhe pse iu del më mirë”, tha Rama.
“Sonila dhe Klevisi janë nga qyteti i Durrësit, nga porta më e madhe e Shqipërisë në Mesdhe, ku denbabaden qysh në kohërat antike edhe romakët preferonin të vinin, ndërkohë që ju ikët, por edhe u kthyet”, u shpreh Rama.
Ata treguan njohjen e tyre ne Kanada ku tashmë kanë 4 fëmijë.
Sonila punonte si mjeke në Toronto, ndërsa Klevisi kishte shkuar në Kanada pas 8 viteve në Itali, ku ka studiuar për ekonomi dhe biznes.
Ata u shprehën se erdhën në Shqipëri për një dasmë dhe fëmijët e tyre e pëlqyen vendin.
Ata folën për klinikën e tyre mjekësore të hapur në Tiranë.
“Tek biznesi nuk është se po targetojmë vetëm klientelën shqiptare, por po përhiqem të bëj bashkëpunime me profesorë të huaj. Unë merrem me rigjenzimin e qelizës dhe mundohem që njerëzit që duan të performojnë sa më mirë në punë dhe të kenë një mendje të qartë të vijnë dhe të bëjnë trajtime tek qeliza”, tha tha Sonila.
Ajo u shpreh se, klinikën e kanë quajtur qeliza.
“Klinika ofron 3 dhoma personale dhe ka një lounge që e kemi quajtur ‘VIP Lounge’ që është një vend që vjen dhe relaksohesh për të bërë trajtime intravenoze. Unë kam sjellë një protokoll që quhet superhuman protokoll që vjen nga Miami. Këto janë protokolle që ndiqen shumë si në fushën e estetikës si në pjesën e njerëzve që merren me sport, ashtu dhe njerëzve që kanë probleme të ndryshme që duan ta mbajnë veten sa më mirë dhe sa më shëndetshëm. Pra që nuk duan të plaken. Pra që unë të mos vjetërohem 12 muaj në vit po 7 muaj dhe të ruaj ato 5 muaj dhe kur të jem 60 vjeç të ndjehem si 40 vjeçar. Këtu ka arritur pak a shumë fusha e jetëgjatësisë biohaking që është e njohur në SHBA. Evropa është pak më skeptike, por po bëj goxha edukim në këtë pjesë”, u shpreh Sonila.
“Jemi të parët në Evropë që po sjellim këtë protokoll dhe të parët në Shqipëri që po e sjellim”, tha ajo.
Rama u shpreh se, “më përpara ishte e mbushur me rregulla me pengesa, me historira dhe prandaj 20 vjet më përpara ishin Evropa barabartë me Amerikën nga pikëpamja e GDP-së, tashmë SHBA është dyfish. Edhe Kanadaja është një aneks i Amerikës në këtë kuptim”.
“Ne mund ta bëjmë Shqipërinë një Zvicër të vogël faktikisht për pjesën e estetikës sepse shumë veta në Evropë që duan të sjellin goxha protokolle por janë këto burokracirat e BE-së që nuk i fusin dot po mundohen që t’i sjellin në Shqipëri. S’kanë pse të shkojnë në Dubai ose Zvicër, por mund t’i bëjnë në Shqipëri këtë protokolle të biohaking”, tha Sonila.
Kryeministri u shpreh se, koha e bashkimit të teknologjisë dhe biologjisë po vjen.
Rama përmendi Ray Kurzweil, i cili konsiderohet si profeti i së ardhmes në raport me teknologjinë sepse i ka thënë përpara se të ndodhnin shumë gjëra në raport me internetin.
Ai ka publikuar një libër ku flet se do vijë dita që teknologjia do futet në trupin e njeriut dhe njeriu do bëhet i pavdekshëm.
“Ai flet për nanotubes, të cilat janë si usb dhe do futen në trupin e njeriut dhe sa i përket organizmit ato do të luajnë rolin e rojës, siç bëjnë sot antikorpet dhe do pastrojnë çdo lloj problematike në qelizë, trup etj ndërsa në tru do të bëjnë efektin e një dhënie të informacionit që njeriu nuk e merr dot kurrë normalisht. Dhe momenti që trupi i njeriut do të bëhet i pavdekshëm nuk është shumë larg”, tha Rama.
Rama gjithashtu ka treguar bisedën me një përfaqësues të një organizate ndërkombëtare në Shqipëri, i cili u takua me kreun e qeverisë përpara se të largohej në një shtet tjetër për punë.
Rama rrëfeu se përfaqësuesi i tha atij se do ta linte familjen e tij këtu, pasi i biri kishte shumë dëshirë që të jetonte në Shqipëri.
Sipas kreut të qeverisë, ai i tha gjithashtu se Shqipëria është një vend shumë i sigurt, të cilin nuk dinim ta vlerësonim.
“Më bëri përshtypje jo më larg se dje erdhi më takoi se do të largohej përfaqësuesi i një organizate ndërkombëtare këtu në Shqipëri, do të shkonte diku tjetër.
Më tha: ‘Unë familjen do ta lë këtu’. I thashë: ‘Si do ta lësh familjen këtu?’. ‘Po’, tha, ‘do e lë këtu’.
Është nga pjesa tjetër e botës, nuk është nga Evropa, se s’dua të jap më shumë detaje se s’kam autorizim. Më tha që djali këtu është njeri tjetër komplet.
I thashë: ‘Sa kohë do të vazhdojë kjo punë’. Më tha: ‘Jo, jo, djali i madh është i vendosur të jetojë në Shqipëri, gruan dhe pjesë tjetër familjes do e lë për këtë periudhë, pastaj do ta shikojmë’. Tha: ‘Ju shqiptarët jeni të çuditshëm nuk e vlerësoni atë që keni dhe patjetër që keni shumë për të bërë’, por tha që Shqipëria është vend i sigurt, se si familje nuk ndihesh vetëm sepse njerëzit janë mikpritës. Nga pikëpamja e klimës dhe ushqimit, çmimeve nuk ka arsye për të mos e shfrytëzuar mundësinë. Këtë e shoh me shumë të huaj, një tjetër nga fusha e teknologjisë amerikane erdhi për pak ditë, dhe tani po qëndron akoma. Ka marrë shtëpi me qira, kosto e jetesës shumë me e ulët në krahasim me çfarë duhet të mbulojë atje”, tha Rama. /j.p/























