Ballina Flash

Dialogu i Mesdheut, Hasani: Më shumë bashkëpunim ekonomik mes Ballkanit Perëndimor dhe BE

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në edicionin e 10-të të Konferencës Ndërkombëtare “Dialogu i Mesdheut 2024” që u mbajt në Romë, ku u diskutua mbi rolin kyç të Ballkanit Perëndimor në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Mesdheut.

Në panelin “Roli i Ballkanit Perëndimor në Sigurinë e Mesdheut”, ministri Hasani theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe energjetik mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Hasani gjithashtu theksoi se procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane, përfshirë edhe në kuadër të politikave të sigurisë dhe mbrojtjes, është një hap thelbësor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Gjatë dekadës së fundit, Ballkani Perëndimor ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis Evropës dhe rajonit të Mesdheut. Përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe angazhimit të përbashkët në nismat e sigurisë, mund të ndihmojmë në stabilizimin e rajonit dhe në mbështetje të qëndrueshmërisë afatgjatë të Mesdheut,” u shpreh ministri Hasani në fjalën e tij.

Në takimin e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, mori pjesë kryeministrja e Italisë si dhe kryediplomatë, ekspertë dhe analistë nga vende të ndryshme, për të adresuar sfidat më të mëdha me të cilat përballen vendet e Mesdheut. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali: Shqipëria në 2030-n në BE, objektiv që ka mbështetjen e Italisë
Artikulli tjetërMazniku: Regjistrimi i pronave nga bashkitë do të çlirojë potenciale të reja zhvillimi