Ballina Flash

Policia për protestën e opozitës: Bllokimi i rrugëve, vepër penale

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Opozita do të zhvillojë sot protestën e radhës në Tiranë, drejtuesit e të cilës e kanë cilësuar si “mosbindje civile”.

Protesta do të nisë nga ora 17:00 deri në orën 20:00 dhe do të zhvillohet në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht: Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga Pallati me Shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.

Policia e Tiranës bën me dije se ka njoftuar Partinë Demokratike, se në bazë të ligjit “Për Tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat.

Gjithashtu, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë me dije Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.

Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërurohet sheshi i gjelbër “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në bashkinë e Ferrarës në Itali
Artikulli tjetërRama: Me hapjen e tunelit të Murrizit, Dibra bëhet jastëku i gjelbër i Tiranës