Ballina Ekonomi

Nxitja e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri, shpallen 20 startup-et fituese

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të thirrjes së dytë të Challenge Fund, projekt i EU4Innovation, u shpallën 20 fituesit që sollën ide inovative dhe zgjidhje kreative për zhvillimin e bizneseve dhe nxitjen e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri.

20 startap-et u përzgjodhën mes 149 aplikantësh.

Secila prej këtyre iniciativave inovatore do të përfitojë grante që variojnë nga 10 000 deri në 30 000 Euro, duke i fuqizuar për të sjellë në jetë vizionin e tyre dhe për të nxitur zhvillimin në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se këto projekte, të cilat përfaqësojnë një kombinim të vizionit, përkushtimit dhe kreativitetit, do të mbështeten financiarisht për të kthyer idetë e tyre në realitet, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ceremonia u përshëndet nga Niklas Ström, ambasador i Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Hubert Herr, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Klimën e Biznesit dhe Sokol Duma, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

EU4Innovation vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për përkrahjen e sipërmarrësve që sfidojnë status quo-në dhe kontribuojnë në një të ardhme më të qëndrueshme. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Ministrat e Jashtëm të G7 kritikojnë kërcënimet bërthamore ruse
Artikulli tjetërBRUKSEL – Aleanca: Rusia nuk do ta pengojë NATO-n të mbështesë Ukrainën