ROMË, 26 nëntor /ATSH-DPA/- Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë (G7) të ekonomive kryesore dënuan sot kërcënimet e Rusisë për të përdorur armë bërthamore – në fund të takimit të tyre dyditor në qytetin italian, Fiuggi.
“Ne dënojmë në termat më të fuqishme të mundshme retorikën e papërgjegjshme dhe kërcënuese bërthamore të Rusisë, si dhe qëndrimin e saj të frikësimit strategjik”, shkruan ministrat në deklaratën e tyre përmbyllëse.
“Ne nuk do të tolerojmë kurrë kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore”, thuhet në deklaratë.
Rusia ka bërë kërcënime të përsëritura për të përdorur armë bërthamore gjatë dy viteve e gjysmë të fundit – që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje.
Moska, javën e kaluar rishikoi doktrinën e saj bërthamore, duke ulur pragun për përdorimin e armëve të tilla.
G7 përfshin Italinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Japoninë, Francën dhe Gjermaninë.//a.i/























