Ballina Aktualitet

Joti: Ndihmë e ndërsjellë me Slloveninë për mbrojtjen ndaj katastrofave natyrore

TIRANË, 25 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti u shpreh sot se Shqipëria po forcon kapacitetet për përballimin e emergjencave edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, konkretizuar në marrëveshje dypalëshe.

Në këtë kuadër, Joti prezantoi në komisionin e Ligjeve projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e Sllovenisë, për bashkëpunimin në mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe të tjera”.

Ai theksoi se marrëveshja është në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare për forcimin e mbrojtjes civile dhe angazhimin në kuadër të NATO-s.

“Nënshkrimi i saj është reflektim i angazhimeve ndaj organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe BE, të cilat luajnë një rol kyç në përballimin e këtyre sfidave globale. Qëllimi i marrëveshjes është të rregullojmë mënyrën e ofrimit të ndihmës së ndërsjellë në rast katastrofash natyrore apo emergjencash të tjera dhe të nxisë bashkëpunimin në fusha kyçe si edukimi, aftësimi i personelit, transferimi i njohurive dhe zhvillimi i teknologjive në mbrojtjen civile”, theksoi Joti.

Në një kohë kur rreziqet globale kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe të koordinuar, Joti theksoi se “kjo marrëveshje mundëson një hap domethënës drejt një partneriteti më të fortë rajonal dhe ndërkombëtar”.

“Në aspektin ligjor kjo marrëveshje është plotësisht e harmonizuar me Kushtetutën e Shqipërisë dhe aktet normative në fuqi duke përfshirë ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, dispozitat që rregullojnë pjesëmarrjen e Shqipërisë në NATO”, tha ai.

Zv/ministri i Mbrojtjes theksoi po ashtu se në rast të katastrofave natyrore apo emergjencave civile falë kësaj marrëveshje mundësohet reagimi më i shpejtë dhe në mënyrë më efektive përmes ndihmës së ndërsjellë me Slloveninë.

“Ky akt do të ndikojë në rritje e kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Forcave Operacionale për të përballuar sfidat që sjellin fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat. Eksperiencat e fituara nga Shqipëria në rastet e emergjencave në Greqi dhe Turqi na tregojnë se përgatitja dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë kyçe për të minimizuara pasojat e tyre”, tha Joti.

Lidhur me ndikimet financiare, Joti theksoi se ato nuk mund të parashikohen, por në çdo rast të mëparshëm janë vlerësuar përmes një VKM-je.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Socialdemokratët propozojnë Scholz për të kandiduar sërish për kancelar
Artikulli tjetërNis censi dimëror për popullatën e pelikanit kaçurrel