Ballina Bota

ITALI – BM njofton sanksione kundër 30 anijeve ruse

LONDËR, 25 nëntor /ATSH-DPA/- Britania e Madhe ka njoftuar sanksione kundër 30 anijeve në të ashtuquajturën “Flota e Hijeve” e Rusisë, të cilat zyrtarët thonë se ishin përgjegjëse për transportin e sasive të mëdha të naftës dhe produkteve të naftës, vitin e kaluar.

Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) tha se kjo ishte paketa më e madhe e Britanisë së Madhe e këtij lloji.

Sipas FCDO, gjysma e anijeve kishin transportuar më shumë se 4,3 miliardë dollarë naftë dhe produkte nafte në 12 muajt e fundit, dhe se dy kompani sigurimesh ishin vënë gjithashtu në shënjestër të sanksioneve.

“Flota e Hijeve” përbëhet nga anije të përfshira në operacione të paligjshme për t’iu shmangur sanksioneve.

Duke folur në takimin e ministrave të Jashtëm të G7 në Itali, sekretari i Jashtëm David Lammy u tha gazetarëve:“Këtë mëngjes po shpall paketën më të madhe të sanksioneve ndaj flotës ruse – e cila thekson angazhimin e Britanisë së Madhe ndaj Ukrainës.

“Ne po i mbështesim ata me 3 miliardë paund (3,8 miliardë dollarë) në terma vjetore – për aq kohë sa nevojitet për t’i mbështetur ushtarakisht, dhe natyrisht me ndihmën ekonomike dhe humanitare ne vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, shtoi ai.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë takim të G7 – që të gjithë kolegët të vazhdojnë të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa nevojitet dhe ne kemi besim se Ukraina mund të ketë fondet, mjete dhe pajisjet ushtarake për t’u mbrojtur në 2025″, tha Lammy.

“Vlerësimi ynë është se presidenti rus Vladimir Putin nuk po shfaq asnjë shenjë se dëshiron të negociojë. Ne duhet të sigurojmë që ukrainasit të jenë të pajisur për luftë”, shtoi ai.

“Ne kemi sanksionuar 30 anije ruse. Ne jemi të vendosur të parandalojmë përpjekjet për të anashkaluar sanksionet që kemi vendosur më parë – dhe natyrisht për të shmangur përdorimin e të ardhurave nga nafta nga Rusia – për të vazhduar financimin e luftës së saj”, tha Lammy.

Gjatë samitit të G7 këtë javë, Lammy pritet të diskutojë konfliktin me homologët e tij nga vendet e tjera dhe t’i inkurajojë ata që të vazhdojnë me përpjekjet për të mbështetur Ukrainën – mes shqetësimeve se çfarë mund të nënkuptojë rizgjedhja e Donald Trump si president i SHBA për mbështetjen për Kievin. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Komisioni Evropian kundërshton tarifat kineze për importet e pijeve alkoolike evropiane
Artikulli tjetërBegaj-aktorëve politikë: Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi