Ballina Bota

BRUKSEL – Johansson: Marrëveshja Itali-Shqipëri për menaxhimin e migracionit nuk ka asgjë për t’u shqetësuar

BRUKSEL, 21 nëntor /ATSH-ANSA/ – Protokolli Itali-Shqipëri për menaxhimin e migracionit nuk më shqetëson aspak, deklaroi sot komisionerja e Punëve të Brendshme e Bashkimit Evropian, Ylva Johansson, gjatë një interviste me një grup agjencish ndërkombëtare lajmesh.

Komisionerja nënvizoi se kërkesat për azil bëhen në bazë të ligjit italian dhe se si Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ashtu edhe agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) janë përfshirë për të mbikëqyrur qendrat.

”Qendrat e riatdhesimit janë një gjë tjetër dhe tani për tani nuk ka asgjë konkrete”, shtoi ajo.

“Ne po bëjmë progres për riatdhesimet, janë rritur me 20%, por ende duhet bërë shumë. Do të jetë më mirë kur të zbatohet pakti dhe kur procedurat do të jenë më të shpejta. Për mua të dhënat për riatdhesimet do të dyfishohen gjatë mandatit të ardhshëm”, shtoi Johansson.

“Italia ka luajtur gjithmonë një rol konstruktiv për migracionin, ju kurrë nuk e keni penguar punën për paktin. Tre vjet më parë ne ramë dakord për një udhërrëfyes me parlamentin dhe këshillin, një stafetë prej 5 presidencash që punuan së bashku: Franca, Republika Çeke, Suedia, Spanja dhe Belgjika ka krijuar një ndryshim të madh në qasjen e Italisë nën drejtimin e Melonit dhe madje edhe më parë”, theksoi ajo.

“Italia është vendi që kryen më shumë operacione të kërkim-shpëtimit në det në BE, shumë prej tyre zhvillohen në ujërat ndërkombëtare. Ka pasur diskutime nëse në këtë rast të gjithë njerëzit duhet të zbarkojnë në Itali apo edhe në vende të tjera. Tani Italia ka bërë një marrëveshje me Shqipërinë, por ne ende nuk e kemi parë këtë mekanizëm në praktikë”, shtoi komisionerja e Punëve të Brendshme e Bashkimit Evropian, Ylva Johansson./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Komisioni Evropian mirëpret përfshirjen e Shqipërisë dhe Malit të Zi në SEPA
Artikulli tjetërMarshim-protestë për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani