TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Një marshim protestë mblodhi sot prindër dhe të rinj duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, tre ditë më parë jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë nga një bashkëmoshatar i tij.
Me një pankartë të madhe në dore ku shkruhej “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” protestuesit marshuan nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, ku kërkuan edhe dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Një prej qytetarëve pjesëmarrës në protestë tha se “të mos humbasin asnjë minutë kohë që paratë që ka ky vend të mos shkojnë atje ku pasurojnë disa vetë, por që fëmijët të qëndrojnë në shkollë, të arsimohen të zhvillojnë jetën e tyre sociale, në sporte dhe art”.
Një vajzë e re tha se “kjo vrasje ka autor që duhet të mbajë përgjegjësi. Të gjitha institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi”.
“Duhet zgjidhje me racionale për t’i bërë ballë platformave sociale, pasi jetojmë në epokë digjitale”, tha një tjetër qytetare.
Ndërsa një tjetër vajzë tha se “kjo ngjarje e rëndë mund të ishte parandaluar, jo vetëm shkolla duhet të marrë masa më të forta e më vigjilente ndaj këtyre rasteve. Përgjegjësia nis nga shkolla dhe institucionet e tjera”.
“Shteti të marrë përgjegjësinë për atë që nuk mundi. Ku ishte ambulanca, ku ishte policia? Po të merren masa dhe për rrjetet sociale. Unë jam mësuese vetë në një shkollë private, jam dakord që raportimi i çdo konflikti duhet të përcillet tek prindërit”, tha një mësuese pjesë e marshimit.
Në marshimin protestë shoqja e klasës së Martin Canit mbajti fjalën para qytetarëve, ku tha se “kemi humbur një shok zemre”.
“Jam një nxënëse nga klasa e Martinit. Ne kemi humbur një shok që e kemi pasur 9 vite në klasë. Kur e mendoj që kemi humbur Martinin, na ka lënduar kaq shumë në zemër. E kemi parë që kur është rritur. Më vjen shumë keq dhe jemi të lënduar nga humbja e shokut tonë 14-vjeçar”, u shpreh shoqja e klasës së Martinit.
Në protestë u lexua edhe mesazhi i nënës së Martinit, Florina Cani, ku theksohet se “Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”.
“Nuk mendoj se ka fjalë që e përshkuan këtë dhimbje që na ka lënë pas një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Falënderoj gjithë popullin shqiptar anembanë dhe FSHF për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira. S’di sa mirënjohëse jam për ata që ju gjenden aty Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falënderoj nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja. Si nënë që jam uroj nga thellësia e shpirtit që askush të mos sprovohet me një dhimbje të tillë. Me respekt Florina dhe Angel Cani””, thuhet në mesazhin e nënës së 14-vjeçarit, i lexuar nga një prej protestueseve.
Protestuesit kanë lyer duart me bojë të kuqe dhe i kanë vendosur në kolonat prej hekuri pranë godinës së ministrisë së Arsimit.
Gjatë protestës, Mirgen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare lexoi 7 kërkesat drejtuar qeverisë për të garantuar sigurinë e fëmijëve në shkolla.
Ndërsa paralajmëroi se nëse ministrja Manastirliu nuk jep dorëheqjen atëherë ata do të kthehen sërish në protestë të hënën para ministrisë së Arsimit.
Kërkesat janë:
Kërkesat
-Plotësimi e 100 % të shkollave me psikolog, një psikolog për 200 nxënës.
-Qëndrimi i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00 duke iu afruar programe ushqimi dhe mundësie të bërjes së detyrave në shkollë.
-Zbatimi i rregullave për heqjen e telefonave në orarin e mësimit duke sanksionuar ata që nuk zbatojnë rregullat.
-Monitorimin e rreptë të platformave audiovizuale e digitale, nga autoritetet që dukshëm shërbejnë vetëm për marrjen e rrogës. AMA, AKEP.
-Për të siguruar bllokimin e përmbajtjen jo etike të dhunshme si në hapësirën digitale e publike.
-Caktimi në çdo shkollë i një oficeri sigurie duke rishikuar detyrat dhe rolin e tyre.
-Krijimi i një sistemi raportimi efektiv të rasteve ku ndërlidhen institucionet përgjegjëse e komuniteti i prindërve.
Në 18 tetor në afërsi të shkollës “Fan Noli”, një 14-vjeçar për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra një nga 14-vjeçarët, Martin Cani ka ndërruar jetë në spital.
/k.s/























