Ballina Aktualitet

Siguria në shkolla, debate në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

TIRANË, 20 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Komisioni i Sigurisë Kombëtare u përfshi sot nga debatet për çështjen e sigurisë në shkolla.

Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë që ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë ku u vra një 14-vjeçar nga një tjetër nxënës i kësaj shkolle, deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani kërkoi seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

“Sot rendi e siguria në shkolla është zero. Nuk po bëj politikë kur bëhet fjalë për jetën e fëmijëve tanë. T’i bëjmë thirrje dhe ta thërrasim urgjent në seancë dëgjimore si Komision i Sigurisë. Duhet të bëhemi bashkë të majtë e të djathtë sepse është situatë e rënduar”, u shpreh Dogjani.

Nga ana e tij, kryetari i komisionit, Nasip Naço i bëri thirrje opozitës të mos sillet si korbat e zinj e të përfitojë nga vdekja e një të mituri.

“Nëse doni interpelancë me ministrin i keni të gjitha mjetet ligjore të kërkoni interpelancë. Nëse e kërkoni në komision bëhuni 6 firma se firmën e 7-të jua jap unë”, iu përgjigj Naço Dogjanit.

Duke folur për buxhetin, Naço theksoi se për vitin 2025 është parashikuar 20% më shumë se vitin e kaluar për Policinë e Shtetit që përfaqëson 81% të fondit të Ministrisë së Brendshme.

Naço tha se nuk ka munguar vullneti i qeverisë për të mbështetur Policinë e Shtetit.

“Pastaj është pjesa e policisë se si do ta ndajë këtë fond. Ngjarja është shumë e rëndë, duhet të na bëjë me turp të gjithëve ne si komision që nuk kemi ushtruar presion mbi Policinë e Shtetit ta bëjë punën më mirë se duhet. Por disa muaj më parë kur diskutohej ligji i Policisë së Shtetit nuk pati debate as këtu, as në seancë. Debati më i madh ishte se si do të hartohej Kodi Zgjedhor për të kapur një karrige”, tha Naço.

Ai solli në vëmendje edhe shifrat e uljes së numrit të vrasjeve, ndërsa theksoi se në vitin më të mirë të qeverisjes së PD-së kanë ndodhur 135 vrasje, ndërsa sot janë 25 vrasje.

“Policia është 5 herë më mirë se më parë, edhe pse sikur edhe një rast të jetë është shumë e rëndë për shoqërinë shqiptare. Nëse e doni ta thërrisni për shkollat na keni që nesër, por nëse e doni për politikë personale nuk na keni në axhendën tuaj”, tha Naço. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJKKO sekuestron dy vila në Tiranë të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj
Artikulli tjetërKontributi i bektashizmit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore