TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në Kuvend për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, kritikoi qeverinë socialiste për shpërndarjen e buxhetit.
Tabaku, në fjalën e saj në emër të grupit parlamentar të PD, tha se sot se, fatkeqësisht, shqiptarët jetojnë me remitanca që kanë shkuar në 1 miliard euro në vit. Deputetja e PD-së theksoi më tej se 53% e buxhetit të qeverisë sot janë koncesione.
“Përballë një skeme pensionesh që nuk e përballon barrën, qeveria ka vendosur të heshtë dhe të quajë këdo Sude. A ka Sude më të madhe se ato që i premtuan 5% rritje pensionesh në vit dhe nuk ja bënë për 11 vite. Sot fatkeqësisht shqiptarët jetojnë me remitanca që kanë shkuar 1 miliardë euro në vit
Socialistët që premtuan se arsimi do të ishte prioritet i tyre, e çfarë kemi sot 2.4% e prodhimit të brendshëm bruto shkon për Arsimin më pak se vende te rajonit. Qeveria jep koncesione, 53% e buxhetit të qeverisë sot janë koncesione. 40% e të ardhurave të një familje shqiptarë shpenzohen për ushqime. Bujqësia që duhet të ishte një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik ka një rritje prej 0.05%”- u shpreh Tabaku.
Deputetja Tabaku, prezantoi vizionin e PD-së për një ekonomi më të drejtë dhe të qëndrueshme. Tabaku bëri me dije se javën që vjen do të prezantojnë 19 amendamentet që prekin sektorët kryesorë. Po ashtu deputetja e PD-së nënvizoi se vendi ka nevojë për një model të ri ekonomik.
“Ne do të prezantojmë gjatë javës që vjen 19 amendamente, që prekin të gjithë këto sektorë. 19 amendamente që nuk e ndryshojnë dot vjedhjen dhe abuzimin, as modelin ekonomik, sot kemi nevojë të ndryshojmë modelin ekonomik. Qeveria shqiptare ka një mungesë serioze strategjie politike, PD ka përgatitur një strategji për të luftuar informalitetin ku në bazë është sistemi fiskal.
Do të ketë një riorganizim të shpenzimeve, vendosja në balancë ndërmjet veriut dhe jugut. Sot buxheti ka nevojë ti mbështesë të gjithë shqiptarët njësoj. Ky diskriminim që vjen me buxhetin duhet të ndalojë. Ka nevojë buxheti tu japë frymë bizneseve të vogla, pasi ky buxhet e përqendron ekonominë në vetëm 200 biznese, operatorë ekonomikë që marrin paratë publike. Shqipëria ka nevojë për frymë edhe në qytete të vogla. Ka nevojë sot për një vizion ndryshe për buxhetin që nuk vjen.
“Duke shpresuar të jetë buxheti i fundit i socialistëve, atë që nuk e sollën në 11 vite s’do ta sjellin në vitin e 11-të. Ka nevojë për një sistem të ri pensionesh, që nuk u jep lëmoshë sa herë që ka zgjedhje, por një pension të drejtë. Shpresoj shumë në krijimin e një modeli të ri ekonomik që i jep frymë ekonomisë”- tha deputetja e PD-se Jorida Tabaku.
/a.f/






















