TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Në diskutimet e ditës së sotme për projekt buxhetin e vitit 2025, deputeti socialist Erion Braçe, i është përgjigjur pretendimeve të opozitës së dy bonuset e lajmëruara nga kryeministri Edi Rama, në fundvit dhe një tjetër në pranverë, janë sipas opozitës për të blerë vota.
“Në vitin 2014 është dhënë bonus 3 mijë lekë për kryefamiljarët dhe 2 mijë lekë pensionistët e tjerë. Në 2016, 6 mijë lekë për kryefamiljarët dhe 2 mijë lekë për pensionistët. Në 2017, 3 mijë lekë për të gjithë, në vitin 2018, 5 mijë lekë për të gjithë, dhe 2022, 5 mijë lekë një herë, 6 mijë lekë herën e dytë, 8 mijë lekë herën e tretë, 3 mijë lekë herën e katërt, edhe si pjesë e paketës për të mbrojtur nga kriza këtë shtresë pensionistësh. Në vitin 2023, 5 mijë lekë për kryefamiljarët, 5 mijë lekë për pensionistët e tjerë dhe 5 mijë lekë për ata që kishin një invaliditet”, tha Braçe.
Deputeti socialist theksoi se shuma totale e bonuseve për pensionistët përgjatë tre mandateve qeverisëse të PS-së është me vlerë 540 milionë euro.
“Skema që prezantoi kryeministri këtu natyrisht i jep shpresë atyre njerëzve që nuk mund t’i gënjejnë burra e gra, që dalin andej matanë dhe u thonë që do ua rrisim pensionet, por ne i paguajmë sigurimet mbi 40 mijë lekë, mashtrues ordinerë që duan të grabisin sa më shumë në kurriz të atyre njerëzve”, tha ai.
Braçe foli edhe për sektorin e bujqësisë dhe fermerët, ndërsa tha se çmimet e inputeve në bujqësi kanë rënë.
“Mua me vjen shumë mirë që keni nisur të flisni për bujqësinë, se kur flisja unë, ju thoshit prapë me shalqirin merresh?! Shumë mirë që po flisni, por dëgjova një gënjeshtër të madhe, the çmimi i inputeve bujqësore është rritur me tre herë. Çmimet kanë rënë nuk janë më ato që ishin. Ureja sot është 42 lekë nga 100 që ishte kur filloi kriza, superfosfati është vetëm 21 lekë nga 50 lekë që ishte kur filloi kriza”.
/a.f/























