Ballina Flash

Liga e Kombeve, Shqipëri-Çeki, FSHF nderon katër ish-lojtarë të Kombëtares

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit përballet sonte me Çekinë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë në një ndeshje të vlefshme për grupin B1 të Ligës së Kombeve.

Përpara fillimit të ndeshjes Federata Shqiptare e Futbollit nderoi katër ish-futbollistë të Kombëtares të cilët janë tërhequr nga përfaqësimi i ngjyrave kuq e zi, Klaus Gjasula, Ermir Lenjani, Odise Roshi dhe Bekim Balaj.

Gjasula numëron 29 ndeshje me Kombëtaren, duke debutuar më 7 shtator 2019 në ndeshjen Francë-Shqipëri, ndërsa ishte pjesë e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, aty ku gjeti edhe rrugën e rrjetës për herë të parë me fanellën kuqezi në sfidën e paharrueshme Kroaci-Shqipëri, që përfundoi në barazim 2-2.

Me 9 gola të shënuar, mes të cilëve edhe ai ndaj Portugalisë, Bekim Balaj u tërhoq nga kombëtarja pas 48 ndeshjeve. Ndaj luzitanëve, ai shënoi edhe golin e parë me kuqezinjtë, duke i hapur rrugën kualifikimit të parë historik të Kombëtares në Europianin “Francë 2016”.

10 vite krenari e realizim të ëndrrës së fëmijërisë e konsideroi Lenjani prezencën në kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi zhvilloi 45 ndeshje, duke shënuar edhe 5 gola, teksa ishte prezent edhe në Europianin e Francës.

I njohur me nofkën “Raketa”, Odise Roshi ishte një tjetër futbollist që i dha fund aventurës si kuqezi. Anësori numëron 71 ndeshje dhe 5 gola, teksa ishte pjesë e finaleve të Euro 2016.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali takim me kryetaren e parlamentit të Azerbajxhanit
Artikulli tjetërGjeorgjia barazon me Ukrainën, çdo gjë mbetet e hapur në grupin e Shqipërisë