Ballina Aktualitet

Shiqerukaj: Pastrimi i parave përmes kriptomonedhave lë gjurmë

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Drejtori i Analizës pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Artan Shiqerukaj tha sot se pastrimi i parave përmes parave kesh (cash) është më i pagjurmueshëm sesa përmes kriptomonedhave.

Ai tha se në Shqipëri nuk ka një problematikë sa i takon pastrimit të parave përmes kriptomonedhave.

Deklaratën e tij, Shiqerukaj e tha gjatë tryezës së zhvilluar sot pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.

Shiqerukaj në nisje të fjalës së tij u shpreh se është fakt që veprat penale që lidhen me pastrimin e parave nuk parashkruhen.

“Pastrimi i parave nuk është vepër që parashkruhet, në thelb është pothuajse e pamundur të parashkruhet. Dhe kjo është gjë shumë pozitive. Kemi në Shqipëri raste të vendimit të formës së prerë me konfiskim 19 mln euro për vepër origjine të ndodhur para 40 vjetësh. Është pozitive. Nëse ka kushte hetimi, mekanizma, kjo është shumë pozitive dhe për aspektet e kësaj tryeze. Paratë e gjeneruara nga krimi i organizuar mund të hetohen gjatë gjithë jetës së personit që ka kryer krimin”, tha Shiqerkuaj.

Ai vlerësoi si mjaft pozitive bashkëpunimin operacional me Policinë e Shtetit, SPAK dhe BKH.

Sa i takon kriptomonedhave ai tha se “tek “Fintech”, ka një ide se pastrimi i parave bëhet me kripto, dhe kjo është e vërtetë. Por pastrimi i parave përmes parave kesh është më i pagjurmueshëm se kripto, pasi kjo e fundit lë gjurmë diku. Në nivel makro, Shqipëria s’ka “materialitet”, pra vëllimi që mund të shkëmbehet në vendin tonë nuk përbën kërcënim serioz ndaj Shqipërisë, ky është fakt. Pavarësisht se ka inteligjencë që tregon se mund të ketë ndonjë zyrë këmbimi valutore që e bën në mënyrë të paligjshme dhe hajde ta rregullojmë, por nuk përbën “materialitet””.

Ai për këtë shtoi se “kjo ka ndodhur ndoshta pasi edhe pse krimi i organizuar s’ka patur nevojë, sepse ka metoda edhe më të thjeshta. Ne si AJP kemi marrë disa trajnime nga Ambasada britanike për hetues kripto, bashkë me kolegët e Policinë e Shtetit të sektorit kibernetik për software të dedikuar edhe për këtë punë. Duhet të kemi parasysh që software nuk prodhon rezultatet vetë, duhen raportime. Nuk ekziston mundësia që nga Shqipëria t’i drejtohemi me kërkesa dikujt që t’i themi më jepni këmbimet e shqiptarëve, pasi duhet të ketë indicie. Nuk pranohen kërkesa pa indicie. Vetëm përjashto mundësi raste të terrorizmit”, tha ai.

“Tek pjesa e keshit, do të donim të jetonim në një botë pa kesh, sepse është më e lehtë të gjurmohet. Por tek marketi i lagjes nuk ka karta, prandaj do pak kohë deri tek pjesa që të mos përdoret kesh. Bashkëpunimin e kemi të mirë me doganën. Kërkohet një rritje intensiteti bashkëpunimi me policinë kufitare. Kjo ka qenë një pjesë që është prekur dhe kjo nga moneyval”, tha ai.

Lidhur me disbalancën mes sekuestrimit dhe konfiskimit, Shiqeruka tha se “tek pjesa e fundit, disbalancë mes sekuestrimit dhe konfiskimeve, kjo lidhet dhe me mënyrën se si bëhen hetimet. Ka vende që sekuestrojnë në fazë të parë për ato që kanë pak prova, ka dhe vende si ne që bëjnë një sekuestrim të zgjeruar me të gjithë çfarë ka pala që hetohet dhe më pas një pjesë kthehen rrugës. Kjo bëhet dhe për sigurinë e provës, etj., kjo krijon një disbalancë”, përfundoi ai, ndërsa vlerësoi punën e SPAK, që sipas tij, ka treguar një mentalitet tjetër.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBE: Çështjet e arsimit dhe shëndetësisë në veri të Kosovës të adresohen në dialog
Artikulli tjetërPr/buxheti 2025, Celibashi: 9.4 miliardë lekë për zgjedhjet, votimi elektronik të bëhet në qarkun e Tiranës