TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Me një thirrje për rikuperimin e trupave të të ekzekutuarve të regjimit komunist dhe aksionin për mos tjetërsimin e vendeve të dyshuara si vendvarrime, grupi i punës së AIDSSH-së, drejtuar nga Gjergj Marku, vendosi dy tabela në zonën e Shpalit, njësia administrative Orosh, Mirditë.
Tabela e parë shënon vendvarrimin e identifikuar të Shpalit, ku janë varrosur të burgosur politikë të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit.
Tabela e dytë shënon një vendvarrim të dyshuar për katër të burgosur politikë të ekzekutuar si organizatorë të Revoltës së Spaçit të vitit 1973: Skëndër Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj. Shteti komunist fshehu trupat e tyre, duke lënë familjarët pa asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.
Fillimisht, grupi i punës i AIDSSH zhvilloi një takim në zyrën e kryetarit të bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, për të diskutuar ecurinë e procesit. Të shoqëruar nga kryetari i njësisë administrative Orosh, grupi vijoi me vendosjen e tabelave.
Ky shenjëzim është kulmimi i një hetimi të thelluar 6-mujor, që synoi qartësimin e fatin e 44 të zhdukurve gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun e Spaçit, një nismë kjo në kuadër të përkujtimit të 50-vjetorit të Revoltës së të Burgosurve si dhe është një përpjekje për të nderuar kujtimin e viktimave të komunizmit dhe për të rikthyer në dritë historinë e të zhdukurve
Raporti përfundimtar cilëson se vendi i dyshuar ndodhet afërsisht 20 metra nga vendvarrimi i njohur i Shpalit dhe është i gatshëm për kërkime të mëtejshme për eshtrat. Lënia pa asnjë evidencë nga autoritetet e kohës dëshmon për qëllimshmërinë e regjimit në fshehjen e këtyre krimeve.
Grupi i punës ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera dhe ka mbledhur dëshmi nga familjarë dhe banorë të zonës, për të sjellë sa më shumë informacion mbi këto ngjarje të trishta të historisë.
AIDSSH po përpiqet të sigurojë mbështetjen e institucioneve kyçe për të ndihmuar në rikuperimin e trupave të atyre që u ekzekutuan ose u zhdukën gjatë regjimit komunist. Kjo përpjekje e përbashkët kërkon bashkëpunim të ngushtë nga institucionet dhe organet përkatëse për të ndihmuar në kthimin e dinjitetit dhe nderimit për viktimat dhe për të qetësuar familjet e tyre.
Autoriteti falënderoi institucionet e përfshira dhe mirëpret një angazhim më të madh për të bërë të mundur që plaga e pambyllur e familjeve të cilat kërkojnë qartësimin e fatit të të afërmve të tyre të mbyllet me gjetjen e eshtrave dhe nderimin e kujtimit të tyre.
/r.e/























