Ballina Aktualitet

Berisha rikujton rrëzimin e murit të Berlinit: Mosbindje civile përballë kësaj keqqeverisje

TIRANË, 8 nëntor/ ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin pranë banesës së tij, ku ndodhet në “arrest shtëpie”, solli në rikujtesë 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ku u përqendrua në rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj ngjarjeje, jo vetëm për Gjermaninë, por për të gjithë botën.

Berisha e përshkroi momentin e rrëzimit të murit si një akt heroizmi nga qytetarët gjermanë të Gjermanisë Lindore, të cilët nuk pranuan më shtypjen dhe diktaturën.

Ai theksoi edhe rolin i presidentit amerikan Xhorxh Bush, i cili pa në këtë ngjarje jo vetëm një hap për lirinë e Gjermanisë, por edhe një mundësi për bashkimin dhe forcimin e Europës dhe aleancës së NATO-s. Sipas Berishës, rënia e murit frymëzoi kombe të tjera që të ngriheshin kundër diktaturave komuniste, duke çuar në revolucionet e vitit 1989 dhe rrëzimin e regjimeve komuniste në vende si Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania.

Berisha kujtoi se rënia e Murit të Berlinit frymëzoi edhe shqiptarët, sidomos të rinjtë që më 2 korrik 1990 organizuan një përpjekje të guximshme kundër regjimit komunist, duke e konsideruar atë si një “Mur të Berlinit” të Tiranës. Ai përmend rolin e rinisë studentore në revolucionin demokratik të vitit 1990, që solli fundin e diktaturës dhe rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, duke kulmuar me fitoren e opozitës në zgjedhjet e marsit 1992.

Kryetari i PD-së e përshkruan këtë periudhë si një kthesë epokale për Shqipërinë, e cila ndau një epokë të errët nga një e ardhme demokratike. Megjithatë, ai shprehu shqetësimin se sot, pas më shumë se tri dekadash, Shqipëria po përballet me një formë të re të diktaturës të karakterizuar nga krimi, droga dhe korrupsioni.

Berisha bëri thirrje për mosbindje civile dhe për një përballje të vendosur kundër asaj që ai e cilëson si një narkoshtet.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai e përshkroi Shqipërinë si një “të sëmurë në spital urgjence”, që kërkon ndihmë dhe ndërhyrje për t’u shpëtuar nga korrupsioni dhe abuzimi që po e përzë popullin nga vendi i tyre. Lideri demokrat iu bëri thirrje qytetarëve për veprime të vendosura për të rikthyer dinjitetin, shëndetin dhe të ardhmen e Shqipërisë, duke përfshirë edhe një protestë të fuqishme.

Berisha përgëzoi qytetarët për guximin dhe qëndresën e tyre përballë qeverisë dhe bashkisë, duke thënë se kanë arritur të “kallin tmerrin” tek Veliaj dhe të paralajmërojnë një përgjegjësi të rëndë për të, teksa tha se Veliaj do të përfundojë në shtyllën e turpit kombëtar.

/e.i/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis rikonstruksioni i Xhamisë së Plumbit në Vlorë, Gonxhja: Investim me fondet e 2025-ës
Artikulli tjetërDurrës, ekspozita “Dyrrahu i rrëfyer nëpërmjet monedhave” në Kullën Veneciane