TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Prania e OSBE-së në Tiranë theksoi sot rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm për të rritur ndërgjegjësimin për keqpërdorimin e armëve.
Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.
Ky bashkëpunim u diskutua edhe gjatë takimit që pati dje ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michael Tarran me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu. Në takim, palët ndanë dakordësinë për të forcuar rolin e të rinjve në terren dhe uljen e rrezikut të përhapjes së armëve përmes ndërgjegjësimit dhe angazhimeve të tjera publike.
Delegacioni i OSBE ishte i pranishëm në mbledhjen e radhës të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, në Lezhë, si mbështetësit kryesorë të themelimit të këtyre këshillave në të gjithë Shqipërinë.
Takimi, në të cilën morën pjesë Ambasadori Michel Tarran dhe kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, synoi rikthimin e këtij Këshilli si një organ shumëfunksional dhe të dobishëm për një komunitet më të sigurt.
“Diskutuam për veprimtaritë në terren të të rinjve, që do të organizohen gjatë muajit nëntor, si pjesë e projektit tonë për armët e vogla dhe të lehta”, u shpreh Prezenca e OSBE në një postim në rrjetet sociale.
/e.i/























