TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, zhvilloi sot Tryezën e Hapur për Debat Publik me temë: “Parandalimi i korrupsionit në sektorin privat dhe ndërtimi i një shoqërie me integritet përmes rolit të shoqërisë civile”.
Në fjalën e saj në këtë tryezë ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi sot se, progresraporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë udhëheq punën e qeverisë për parandalimin e korrupsionit.
Në fjalën e saj në, Pirdeni u shpreh se, “fokusi i tryezës së sotme është i kufizuar vetëm për çështje që kanë të bëjnë me integritetin në biznes dhe integritetin në tërësi në shoqëri dhe besoj në tryezat e ardhshme do të kemi mundësi që gjithashtu të angazhohemi në diskutim për çështje që kanë të bëjnë dhe me integritetin në sektorin publik”.
Ministrja u shpreh se, janë miratuar dy udhërrëfyes që kanë shërbyer si piketa për hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave.
“Marrë shkas nga Raporti i Progresit për Shqipërinë, i cili u publikua një javë më parë, i cili sikurse e dini është një nga dokumentet tonë kryesorë që udhëheq punën në këtë drejtim. Por, natyrisht, përveç raportit të progresit, sikurse ju e dini, Shqipëria ka miratuar një udhërrëfyes që është ‘Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës’, i cili udhëheq të gjithë punën e institucioneve shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit. Sikundër është miratuar edhe ‘Udhërrëfyesi për Reformën në Administratën Publike’, një dokument, i cili gjithashtu ka shërbyer, sikurse i pari, si një piketat hapëse të grup-kapitullit të parë të negociatave”, tha Pirdeni.
Ministrja përmendi disa nga detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi, sikurse u shpreh ajo, është miratimi i një Strategjie të re për Antikorrupsionin, që është përmendur gjithashtu në progresraport.
“Në përgjigje të këtij detyrimi ne kemi hartuar një dokument strategjik në bashkëpunim me të gjithë institucionet, i cili adreson një pjesë të konsiderueshme të çështjeve, që ju keni ngritur në analizën tuaj dhe do të dëshiroja që, nëse është e mundur, të kemi ndoshta dhe shkëmbime të mëtejshme në lidhje me mënyrën sesi shikohet që të adresohen më mirë këto detyrime”.
Përsa i përket sektorit privat, Pirdeni tha se, “për herë të parë në Strategji përfshihet një objektiv specifik, i cili adreson integritetin në biznes. Nuk ka qenë më parë i përfshirë dhe besoj që dhe analiza dhe diskutimi që është elaboruar në kuadër të punës së kryer nga ekspertët në fakt ushqen pikërisht diskutimin që është e nevojshme që përveç integritetit në sektorin publik, të përqendrojmë vëmendjen gjithashtu në këtë drejtim”.
“Sikurse buron dhe nga detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të procesit të negociatave brenda vitit 2027, Shqipëria duhet të ratifikojë Konventën e OECD-së për çështjet e parandalimit të ryshfetit në transaksionet ndërkombëtare të biznesit. Një çështje, e cila sigurisht do të jetë pjesë e debatit dhe diskutimit dhe me të drejtë është ngritur dhe nga ju në analizën që parashtruat”, tha Pirdeni.
Sa i përket çështjeve të menaxhimit të rriskut të korrupsionit të ndërmarrjeve shtetërore, Pirdeni përgëzoi për analizën e kryer në lidhje me këtë sektor.
“Ka qenë një nga organizatat e shoqërisë civile, e cila që në korrik të këtij viti e ngriti si shqetësim që përveç sektorëve me risk që ka trajtuar Strategjia, sikurse është sektori i pronave, sektori i prokurimeve publike, sektori i tatimeve edhe doganave, sektori i shëndetësisë, sektori i arsimit, do të duhet të përqendrojmë vëmendjen edhe tek një fushë me interes të veçantë, sikurse është parandalimi i korrupsionit në ndërmarrjet me pronësi publike ose ku pjesë më e madhe e aksioneve i përket shtetit”, tha Pirdeni.
Për këtë arsye, shtoi ministrja, “ne kemi përfshirë dhe një masë të re në Strategji, pikërisht për të adresuar vlerësimin e riskut në këto sektorë, ose në këtë fushë ku presupozohet që dhe vigjilenca duhet të jetë më e lartë, për shkak të faktit që këto institucione gjithsesi janë mbartëse në njëfarë forme të një detyrimi publik për të qenë më transparent, për të pasur mekanizma integriteti dhe mekanizma të forcuara llogaridhënieje në raport me strukturat e tjera të biznesit privat, të cilat operojnë në një treg të hapur”.
Gjithashtu, shtoi Pirdeni, “në këtë drejtim ajo çfarë adresohet në Strategji është pikërisht vlerësimi i riskut nga njëra anë, sepse duke ndërmarrë analiza të mirëfillta të vlerësimit të riskut jemi më të përgatitur për të adresuar dhe mitiguar riskun aty ku ai është më i vazhdueshëm”.
Sa i përket konsultimit publik, Pirdeni tha se, “përmes AKSHI-t përpara një viti ne kemi përfshirë në sistem një element të ri, ku për çdo projektakt të ri, të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat janë regjistruar paraprakisht, kanë shprehur paraprakisht vullnetin që duan të marrin informacion nga ky portal për çështje të caktuara, sipas tematikave ku ato kanë interes, u shkon automatikisht ky njoftim”.
Sa i përket ligjit “Për sinjalizimin”, Pirdeni tha se, “ligji “Për sinjalizimin” aktualisht në fuqi ka afruar direktivën asokohe të 2005-ës të BE-së, por sikurse e dini ka një direktivë të re që është miratuar në 2019-ën, në rang BE-je, ku dhe një pjesë e mirë e vendeve anëtare ende janë në proces transpozimi. BE-ja e miratoi një direktivë të re në 2019-ën është sepse praktikisht legjislacioni për sinjalizimin në vendet e BE-së ka një nivel zbatimi shumë të dobët. Kjo vjen sepse vetë mekanizmi i sinjalizimit shoqërohet me risqe dhe pikërisht për shkak të faktit se një pjesë e mirë e risqeve kanë vështirësi”.
Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua sot tryeza e dytë publike për konsultimin e Dokumentit Analitik, që do të miratohet më pas nga Komisioni i Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit.
Tema e tryezës ishte “Parandalimi i korrupsionit në sektorin privat dhe ndërtimi i një shoqërie me integritet”.
Ekspertët prezantuan gjetjet e analizës së tyre të deritanishme, si dhe ndanë disa rekomandime për ndërhyrjet që duhen adresuar lidhur me masat ligjore dhe mekanizmat institucional për të nxitur dhe mbështetur qytetarët, aktorët e shoqërise civile për të denoncuar korrupsionin si dhe mbrojtjen e denoncuesve.
Nën moderimin e Ilda Muçmataj, pedagoge në Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës morën pjesë në këtë tryezë përfaqësues nga shoqëria civile, përfaqësues të shoqatave të biznesit, dhomave të tregtisë, institucione financiare, institucionet shtetërore, si dhe disa anëtarë të Komisionit të Posaçëm.
Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë, Ambasada Amerikane në Tiranë, Ambasada Franceze, Ambasada Zviceriane, Prezenca e OSBE-së, etj.
/a.f/r.e/























