Ballina Aktualitet

PD: Shqipëria po shkon drejt një krize energjetike të qëllimshme

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Akil Kraja, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka paralajmëruar një krizë të mundshme energjetike në Shqipëri, të cilën e cilëson si “të qëllimtë”, duke iu referuar nivelit të ulët të ujit në liqenin e Fierzës.

Kraja thekson se “rezerva hidrike e Fierzës ka zbritur drejt kuotës 267 metra,” që sipas tij do të thotë një kapacitet prodhimi prej vetëm 423 milionë kilovat-orë. Kraja tha se sipas rregullores, niveli në këtë periudhë duhej të ishte 289 metra, që do të siguronte rreth 1 miliard e 106 milionë kilovat-orë.

Kjo mungesë energjie sipas Krajës do t’u kushtojë taksapaguesve minimalisht mbi 80 milionë euro.

“Për të mbushur këtë mungesë nga prodhimi vendas, ministria dhe agjencitë nën përgjegjësinë e ministres Balluku do të duhet t’i adresohen blerjeve në bursë. Por siç është bërë tanimë zakon, Shqipëria e shet lirë dhe e blen shtrenjtë energjinë e saj. Mbase, edhe për të vendosur në punë sa për spektaktlin e radhës dy TEC-et lundruese të Vlorës të cilët kushtojnë çdo ditë 94 mijë dollarë dhe që kanë përthithur pa u vënë asnjë ditë në punë mbi 46 milionë dollarë”, u shpreh Kraja.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBesmir Hysa emërohet drejtor i Entit Kombëtar të Banesave
Artikulli tjetërMbi 226 mijë teste të akredituara në ISUV