Ballina Ekonomi

Hado: Indeksimi 4.1 % për ruajtjen e fuqisë blerëse

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado deklaroi sot se rritja e pensioneve kërkon fonde, të cilat skema nuk i ka.

Sipas tij, indeksimi prej 4.1% që ka kryer ISSH në muajin tetor nuk ishte rritje, por ishte indeksim për ruajtjen e fuqisë blerëse.

“Sot në botë ka disa mënyra indeksimi pensionesh që përfshin rritjen ekonomike në vend, inflacionin dhe indeksimin e pagave. Ne kemi zgjedhur këtë mënyrë, indeksin e ndryshimeve të çmimeve”, tha ai.

Kreu i ISSH-së, Hado theksoi më tej se shqetësimi publik dhe i ISSH, është që kemi kaluar nga risku i qëndrueshmërisë financiare të skemës në krahun që duhet të shikojmë te mjaftueshmëria e pensioneve. Lufta ndaj informalitetit sipas tij, është një rrugë për përmirësimin e skemës.

Hado shpjegoi se nuk ka pasur rritje pensionesh në vitet e fundit, por indeksim dhe bonuse.

“Të paktën në 15 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë rritje pensionesh, vetëm indeksim, sepse dhe filozofia e pensionit kjo është, caktohet një herë dhe pastaj mirëmbahet fuqia blerëse e parasë”, tha ai.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPropozimi i PD-së për ngritjen e Komisionit të së Vërtetës
Artikulli tjetërPamje nga Ura e re e Kukësit e ndriçuar, Rama: Shani sa më shumë se plas syri i keq dhe na shtoni inatin për punë