TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Monica Merino, përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri fton bizneset të aplikojnë për vlerësimin e OKB-së për sipërmarrjet e qëndrueshme.
Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Merino tha se “ky vlerësim kombëtar është një mundësi e shkëlqyer për çdo biznes që operon në Shqipëri, pavarësisht madhësisë apo industrisë”.
Vlerësimi synon të evidentojë sipërmarrjet që përkushtohen ndaj qëndrueshmërisë dhe japin një kontribut të veçantë në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (UN SDGs).
“A është biznesi juaj në rrugën e qëndrueshmërisë? A po bëni ndryshime të vërteta drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të barabartë? Aplikoni për çmimin SDG Business Pioneers dhe njihuni si lider në avancimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pavarësisht nëse jeni një biznes i vogël apo një kompani e madhe, angazhimi juaj ndaj qëndrueshmërisë bën një ndryshim”, u shpreh Merino.
Sipas saj, fitorja hap dyert për partneritete të reja dhe mundësinë për t’u lidhur me bizneset që ndajnë vizionin tuaj për një të ardhme të qëndrueshme.
/j.p/























