Ballina Flash

“Zërat e Kulturës”, Gonxhja: Sfidat e promovimit të teatrit drejt skenës ndërkombëtare

TIRANË, 14 tetor/ ATSH/ Në 17 tetor, në sallën “Central” në ArtTurbina do të nisë një seri takimesh në kuadër të Dialogut Kulturor dhe Artit Skenik, njofton në rrjetet sociale ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Aktiviteti vjen si pjesë e një serie takimesh publike, të bashkorganizuara nga MEKI dhe United Nations Association Albania që kanë për qëllim përfshirjen e zërave të artistëve në vendimmarrje për çështjet e kulturës.

Trajtimi i sfidave dhe perspektivat për zhvillimin e teatrit dhe arteve skenike do të jetë vetëm një nga shtyllat ku do të përqendrohet e gjithë seria e takimeve.

“Në këtë takim, do të mblidhen aktorë, regjisorë, dramaturgë, skenografë dhe profesionistë të tjerë të skenës për të diskutuar vështirësitë në prodhimin e shfaqjeve, financimin e projekteve teatrore, mungesën e infrastrukturës dhe rolin e edukimit artistik në formimin e gjeneratave të reja të artistëve. Gjithashtu, do të diskutojmë mbi nevojën për mbështetje institucionale dhe promovimin e teatrit shqiptar në skenën ndërkombëtare”, thuhet në postimin e ministrit Gonxhja.

Ministri shton se “ky takim është një mundësi e rëndësishme për të diskutuar çështje të tilla si mbështetja financiare për teatrin, roli i kritikës në ngritjen e standardeve artistike dhe mënyrat për të krijuar bashkëpunime ndërkombëtare”.

MEKI e mbyll njoftimin me një thirrje për artistët, regjisorët, aktorët apo dramaturgët që të jenë të pranishëm në këtë event, pasi “zëri juaj është thelbësor për të formuar politika që do të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të teatrit dhe arteve skenike”.

/e.i/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSamiti i Procesit të Berlinit 2024, Rama ndan foton familjare
Artikulli tjetërPanairi “Tirana Agro”, Veliaj: Blini produktet vendase, mbështetje fermerëve