Ballina Flash

Hovenier mirëpret vendimin e qeverisë për heqjen e kufizimit për mallrat serbe

PRISHTINË, 8 tetor /ATSH/ Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier është shprehur sot i kënaqur me heqjen e ndalesës së mallrave serbe.

“I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës së mallrave të përfunduara të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ne i vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, ka shkruar Hovenier në rrjetin social X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën se në pikën kufitare në Merdarë është hequr masa e sigurisë për mallrat serbe, nga kufizimi, te kontrolli i shtuar.

Ai theksoi se kjo masë është vendosur për shkaqe të sigurisë dhe jo të karakterit tregtar.

Ministria e Punëve të Brendshme dje ka autorizuar Doganën e Kosovës që të hiqen masat e sigurisë për mallrat serbe që arrijnë përmes pikës kufitare në Merdarë.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se pas një veprimi të tillë janë përmbushur kërkesat e aleatëve që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses të plotë.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Takim Scholz-Biden-Macron-Starmer për Ukrainën dhe LM
Artikulli tjetërSHBA – Biden shtyn vizitën në Gjermani për shkak të uraganit Milton