Ballina Ekonomi

Gonxhja: Creative Europe, shembull i suksesshëm për rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ U mbajt në Shkup takimi ministerial i Komisionit Europian për Platformat Drejtuese të Ballkanit Perëndimor mbi edukimin, trajnimin, kërkimin, inovacionin dhe kulturën në Shkup.

Delegacioni shqiptar i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u përqendrua te kultura dhe trashëgimia kulturore, duke diskutuar nismat për mbrojtjen dhe promovimin e pasurive kulturore kombëtare, si dhe për rritjen e mobilitetit të artistëve dhe profesionistëve të kulturës.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se programet si Creative Europe u theksuan si shembuj të suksesshëm për rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe për fuqizimin e industrive kreative dhe kulturore në rajon, ku programi 2025-2027 do të ofrojë mjaft mundësi për artistët e organizatat shqiptare.

Delegacioni shqiptar u takua edhe me Këshilltaren e Lartë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Nora Arapi Krasniqi, ku shumë aktivitete e bashkëpunime do të mbahen në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Unaza e Madhe e aksesueshme në fund të këtij viti
Artikulli tjetërQendro për ATSH-në: Saranda ndalesa e 25 kroçerave dhe 400 jahteve në 9 muaj