Ballina Ekonomi

Gonxhja: 7824 të rinj dhe 11 791 vajza e gra të punësuar në janar-gusht

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja informoi sot se 7824 të rinj deri 29 vjeç janë ndërmjetësuar në tregun e punës përmes shërbimeve të punësimit gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti.

Gonxhja tha se, “përmes shërbimeve të ofruara për punëkërkuesit e grupeve të veçanta nga Zyrat e Punës dhe Qendrat e Formimit Profesional po ashtu janë ndërmjetësuar në tregun e punës përmes Programeve të Nxitjes dhe Shërbimeve të Punësimit 11 791 vajza dhe gra”.

Sipas tij, janë integruar në tregun e punës edhe 967 të papunë nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Ministri Gonxhja u shpreh se “misioni ynë është mbështetja dhe aftësimi i çdo punëkërkuesi”.

Ndërmarrjet hoteliere, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punësim.

Tashmë çdo punëkërkues plotëson online dosjen respektive dhe çdokush gjen punën më të mirë të mundshme apo kandidatin më të mirë për një vend pune përmes puna.gov.al.

/r.e//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Izraeli godet 120 objekte të Hezbollahut, Libani raporton 53 të vdekur
Artikulli tjetërFOKUS – Komiteti i Aushvicit: Fitorja e së djathtës ekstreme austriake një zhvillim alarmant