Ballina Flash

Serbët në Zubin Potok protestojnë kundër shkatërrimit të monumenteve fetare

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Qindra serbë nga rajoni i Zubin Potokut dhe më gjerë, kanë protestuar sot në Zubin Potok në shenjë pakënaqësie, siç thanë ata, me shkatërrimin e monumenteve dhe ikonave fetare që kanë ndodhur kohën e fundit nëpër fshatrat e komunës së Zubin Potokut.

 

Lideri i ‘Demokracisë serbe’, Aleksandar Arsenijeviq, ka thënë për KosovaPress, se ka ardhur sot në mbështetje të qytetarëve të kësaj ane, të cilët po protestojnë kundër përdhosjes së shenjtoreve nëpër fshatrat e Zubin Potokut.

“Sot kemi ardhur në mbështetje të qytetarëve të cilët kanë shprehur pakënaqësinë përmes lutjeve në lidhje me përdhosjen e shenjtoreve në tri fshatra të Megjugorës….Nuk do ta akuzojmë askënd, por kjo është një shenjë që tregon se duhet me kohë të intervenohet”, tha Arsenijeviq.

Ai nuk ka akuzuar askënd, duke thënë se ngjarjet e tilla duhet të jenë alarm për Bashkësinë Ndërkombëtare, por edhe institucionet e Kosovës.

Sipas tij, kjo protestë në një formë është edhe presion ndaj organeve policore, për të cilët tha se rastet e tilla duhet t’i ndriçojnë sa më parë.

Edhe Vesna Radiq, njëra nga pjesëmarrëset e protestës së sotme, ka treguar se protesta e mbajtur është kundër përdhosjes së shenjtoreve dhe nuk ka të bëjë me policinë.

Protesta e cila bllokoi vetëm një korsi të magjistrales Zubin Potok – Bërnjak, ka zgjatur rreth 40 minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa është vëzhguar nga afër prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët ishin në numër më të madh se rëndom. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosova shënon rritje të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024
Artikulli tjetërCelibashi, marrëveshje bashkëpunimi me KQZ-në e Kosovës për standardet zgjedhore