Ballina Flash

Tarran: Lufta ndaj përhapjes të armëve të vogla e të lehta, përparësi strategjike

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi sot takimin e pestë të komitetit Ekzekutiv të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”.

Bashkë me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, institucioneve të tjera partnere dhe donatorëve, u diskutua për arritjet e projektit, sfidat, veprimtaritë, planet dhe mundësitë deri në përfundim të projektit.

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran i cili hapi takimin krahas zëvendësministrit Besfort Lamallari dhe përfaqësuesve të donatorëve u shpreh se, “luftimi i rrezikut të përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla e të lehta mbetet një nga përparësitë strategjike të qeverisë shqiptare”.

Prandaj, shtoi ai, “Prezenca e OSBE-së është e lumtur që mbështet Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, si aktorët kryesorë të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024 dhe të Planit të saj të Veprimit, si edhe të Udhërrëfyesit Rajonal për AVL-të”,

Projekti për armët e vogla e të lehta zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakStrategjia Afatmesme e të Ardhurave, Malaj: Garantim i stabilitetit fiskal për tatimpaguesit
Artikulli tjetërBM – Londra thirrje Izraelit dhe Libanit për armëpushim