KIEV, 22 shtator /ATSH-DPA/- Më shumë se 20 persona janë plagosur në një sulm ajror rus në qytetin Kharkiv, në verilindje të Ukrainës, thanë sot zyrtarët.
“Në mesin e të plagosurve ishte një 8-vjeçar dhe dy adoleshentë”, njoftoi guvernatori i Kharkivit, Oleh Syniehubov në Telegram.
Ai ka postuar foto ku shfaqen rrënojat para një pallati shumëkatësh dhe një makinë e djegur.
Kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se dhjetëra persona ishin evakuuar dhe disa automjete kishin marrë flakë.
Përpara pushtimit të plotë të urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin, Kharkivi ishte qyteti i dytë më i madh në Ukrainë – me një popullsi prej më shumë se 1 milion.
Në fillim të luftës, Moska u përpoq të merrte qytetin, i cili është vetëm rreth 30 kilometra nga kufiri, por dështoi. Që atëherë, Kharkivi ka qenë një nga qytetet më të bombarduara në Ukrainë. //a.i/























