Ballina Ekonomi

Bordi i Mbikëqyrjes Publike, konsulencë ndërkombëtare për forcimin e audituesit ligjor

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Bordi i Mbikëqyrjes Publike po merr konsulencë ndërkombëtare me qëllim forcimin e kuadrit të investigimit dhe disiplinës për audituesit ligjorë.

Anëtarë të Bordit zhvilluan një takim me me konsulenten ndërkombëtare, Janine Van Diggelen, e angazhuar në kuadër të projektit të Bankës Botërore “Forcimi i Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit Financiar në Shqipëri” SQARP.

Van Diggelen ka një përvojë të gjatë në mbikëqyrjen e profesionit të auditimit ligjor dhe aktualisht është e caktuar nga KE-ja si anëtare e Bordit të Mbikëqyrjes së Interesit Publik, për të mbikëqyrur aktivitetet e auditimit dhe dhënies së sigurisë dhe aktivitetet e hartimit të standardeve të etikës dhe të edukimit profesional të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC) si dhe të Programit të Përputhshmërisë të anëtarëve të IFAC.

Gjithashtu ajo ka qenë anëtare e Komitetit Europian të Bordeve të Mbikëqyrjes së Auditimit – Committee of European Auditing Oversight Bodies (CEAOB) dhe anëtare themeluese e IFIAR dhe Zëvendëskryetare dhe Kryetare e IFIAR nga viti 2013 deri në vitin 2017.

Pikat kryesore që u diskutuan në takim ishin rishikimi i kuadrit rregullator të investigimit dhe disiplinës me qëllim përmirësimin e procesit, përmirësimi i formatit të raportimit të të dhënave nga shoqëritë e auditimit/audituesit ligjorë në kuadër të procesit të kontrollit të sigurimit të cilësisë dhe investigimit, si dhe përmirësimi i sistemeve në kuadër të dixhitalizimit të procesit të komunikimit, raportimit dhe mbikëqyrjes së audituesve ligjorë dhe organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

Kjo nismë synon të sigurojë që procesi i investigimit dhe disiplinës të jetë më efikas, i drejtuar nga të dhënat dhe në përputhje me praktikat më të mira globale.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKopshti “Ylberi” gati për vogëlushët, Veliaj: I ndërtuar nga e para me hapësira më të mëdha
Artikulli tjetërKomisioni për Edukimin, studentët e mjekësisë propozime për skemën e specializimeve