Ballina Aktualitet

Vëngu: Situata e zjarreve e qetë, vetëm 3 vatra aktive

TIRANË, 19 gusht ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu u shpreh sot se, pas shumë javësh betejë me zjarret që përfshinë shumë zona të territorit të vendit tonë, sot situata paraqitet më e qetë.

Gjatë 24 orëve të fundit, nga 31 vatra zjarri të raportuara, 28 janë shuar plotësisht, ndërsa vetëm 3 vatra mbeten ende aktive, theksoi Vëngu në një postim në rrjetet sociale.

Aktualisht, nënvizoi ai, vatra në Arrën të bashkisë së Kukësit, ajo në Fushë-Lugje të Mirditës dhe vatra në Buçaj të Shkodrës janë të izoluara, pa rrezik përhapjeje dhe po monitorohen për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

Ministri shprehu mirënjohje për të gjitha strukturat operacionale, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura, Policinë, Shërbimin Pyjor, Zonat e Mbrojtura dhe vullnetarët për punën e palodhur dhe angazhimin maksimal.

Përkushtimi i tyre i përbashkët ka qenë vendimtar në minimizimin e dëmeve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, theksoi Vëngu.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoçiu: 71 fëmijë përfitojnë çdo ditë nga shërbimet e integruara sociale në Përrenjas
Artikulli tjetërIZRAEL – Herzog: Faji i Hamasit nëse marrëveshja dështon