Ballina Aktualitet

Hedh fishekzjarre gjatë një eventi në Dhërmi duke shkaktuar zjarr, arrestohet 28-vjeçari

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar një 28-vjeçar, i cili ndezi fishekzjarre gjatë një eventi, duke shkaktuar zjarr që dogji një hapësirë të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme në fshatin Dhërmi.

PSH njofton se gjatë orëve të para të ditës së sotme, në fshatin Dhërmi u mor njoftim për një vatër zjarri që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar me shkurre dhe bimësi të ndryshme. Si rezultat i hetimeve dhe falë bashkëpunimit me banorët dhe pushuesit në zonën bregdetare, Stacioni i Policisë Dhërmi arrestoi autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënieje, shtetasin L. Xh., 28 vjeç.

28-vjeçari dyshohet se, gjatë një eventi në një subjekt privat në fshatin Dhërmi, ndezi fishekzjarre që shkaktuan zjarrin, duke dëmtuar një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrim nga pakujdesia i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë u bën thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes maksimal për të mbrojtur mjedisin dhe pyjet tona, si dhe të shmanet çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre apo ndotje, duke kontribuar kështu në ruajtjen e natyrës dhe sigurinë e komunitetit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPHENIAN – Koreja e Veriut rihapet për turistët
Artikulli tjetërPEKIN – Kina forcon kontrollet kufitare si masë mbrojtëse kundër virusit “mpox”