Ballina Bota

SPANJË – Fillim i ri për Katalonjën ndërsa socialisti Illa betohet si president

MADRID, 10 gusht /ATSH-DPA/- Politikani socialist Salvador Illa u betua sot si president i qeverisë rajonale katalanase në një ceremoni në pallatin qeveritar në Barcelonë.

“Duke marrë detyrën sot, unë po trashëgoj edhe shpresat e popullit katalanas”, tha 61-vjeçari, i cili u bë i njohur si ministër i Shëndetësisë i Spanjës gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ceremonia e e betimit erdhi vetëm dy ditë pasi lideri separatist katalanas Carles Puigdemont, i cili po përballet me një urdhër arresti, mbajti një fjalim në qendër të Barcelonës.

Më pas ai u largua, pavarësisht pranisë së madhe të policisë. Të premten Puigdemont postoi në X se ishte kthyer në Belgjikë, ku ka banuar kryesisht që kur u arratis fillimisht në 2017.

Në fillim të ceremonisë së inaugurimit, Illa shprehu një qëndrim pajtues ndaj paraardhësve të tij separatistë.

“Unë nuk kam asnjë dyshim se të gjithë presidentët e mëparshëm erdhën në detyrë me qëllimet më të mira për ta bërë Katalonjën një vend më të mirë”, tha ai, duke përfshirë Puigdemont në mesin e tyre.

Edhe pse Partia Socialiste e Illa fitoi zgjedhjet në parlamentin katalanas në maj, ajo ka nevojë për mbështetje nga e majta separatiste republikane e Katalonjës (ERC) dhe aleanca ekologjike Comuns për të qeverisur.

Të enjten, 68 nga 135 anëtarët e parlamentit rajonal në Barcelonë votuan në favor të Illa.

Mediat spanjolle e panë zgjedhjen e tij si një fillim të ri për rajonin, i cili është tronditur nga një mosmarrëveshje mbi kërkesat për pavarësi për më shumë se 10 vjet.

Megjithatë, ka të ngjarë të jetë e vështirë për Illa që të pajtojë politikat e tij pro-spanjolle me dëshirën e ERC-së për pavarësi.

Edhe pse u shpall amnistia për separatistët katalanas, ajo nuk vlente për Puigdemont, pasi ai përballet me akuzat për pasurim personal. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUEFA “Regions’ Cup”, zbardhet lista e kuqezinjve
Artikulli tjetërBRUKSEL – Borrell: I tmerruar pas sulmit të fundit izraelit në shkollën e Gazës