TIRANË, 2 gusht /ATSH/- Turqia ka bllokuar aksesin në platformën e mediave sociale Instagram, tha sot rregullatori i infotech, pa dhënë një arsye apo kohëzgjatje për ndalimin, sipas “Reuters”.
Masa vjen pasi drejtori i Komunikimit i Turqisë, Fahrettin Altun, akuzoi të mërkurën Instagramin për bllokimin e mesazheve ngushëlluese për Ismail Haniyeh, udhëheqësin e grupit islamik palestinez Hamas, i cili u vra në të njëjtën ditë. Altun akuzoi platformën për censurë.
“Kjo është censurë, e pastër dhe e thjeshtë”, tha Altun në X, duke shtuar se Instagrami nuk kishte përmendur ndonjë shkelje të politikës për veprimin e tij.
Nuk ka patur asnjë reagim të menjëhershëm nga kompania mëmë “Meta Platforms Inc (META.O)” për ndalimin dhe deklaratën e Altun.
Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Turqisë (BTK) publikoi vendimin e 2 gushtit në faqen e tij të internetit. //a.i/






















