TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar që ndryshimet në përbërjen e Këshillit të Ministrave të bëhen përmes një debati parlamentar.
Në kërkesën zyrtare drejtuar Kuvendit, Bardhi shkruan se “përbërja e Këshillit të Ministrave nuk është një produkt privat i Kryeministrit, që gëzon vetëm të drejtën kushtetuese të propozimit të saj, por caktimi është një ndërveprim institucional mes tre institucioneve Kryeministër-President i Republikës-Kuvendi i Shqipërisë. Në këtë rast, Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të ketë rol formal, vetëm në certifikimin e vullnetit personal të Kryeministrit, por duhet të diskutojë dhe vlerësojë në meritë propozimet dhe dekretet e ardhura”.
Grupi Parlamentar i PD kërkon që debati të zhvillohet në një kohë prej 6 orësh.
“Duke qenë se jemi përpara ndryshimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, që nënkupton një përbërje të re të tij, në përputhje me nenet 12, 46, 48 dhe 110 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që shqyrtimi i Dekreteve të Presidentit që ndryshojnë përbërjen e Këshillit të Ministrave t’i nënshtrohen debatit parlamentar, prej 6 orësh, të ndarë në mënyrë proporcionale mes grupeve parlamentare”, thuhet në kërkesën zyrtare të Grupit Parlamentar të PD-së.
Kuvendi do të mblidhet sot në orën 17:00 në një seancë të jashtëzakonshme, ku do të shqyrtohen pr/vendimet për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj të dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pas propozimit të kryeministrit Edi Rama.
/k.s/













