Ballina Aktualitet

GJKKO lë në arrest shtëpie Berishën dhe Malltezin

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot vijimin e masës në “arrest në shtëpi” për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi sot se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur më 28 qershor 2024 pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal nr.287, viti 2020”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, vendosi vijimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, caktuar me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.

GJKKO vendosi dhe vijimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Jamarbër Malltezi, caktuar me vendimin nr.56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunimin, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoçiu: Rreth 700 qytetarë morën shërbim në qendrën shëndetësore verore në Talje
Artikulli tjetërHAPËSIRË – Një stuhi gjeomagnetike pritet të godasë Evropën dhe SHBA-në