Ballina Flash

Koçiu: Realizohet me sukses në Spitalin e Traumës, heqja e një trupi të huaj brenda trurit

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Në Shërbimin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës, është realizuar me sukses heqja e një trupi të huaj brenda trurit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “pacienti kishte pësuar një aksident dhe për pasojë një trup i huaj kishte mbetur në thellësi të trurit”.

“Vështirësia e operacionit qëndronte në heqjen e këtij trupi të huaj pa shkaktuar dëmtime të trurit. Pas kryerjes së ekzaminimeve imazherike dhe laboratorike, pacienti iu nënshtrua operacionit i cili falë pajisjeve moderne që disponon salla e neurokirurgjisë, si Neuronavigatori, C-armi dhe mikroskopi, u bë e mundur heqja e trupit të huaj pa shkaktuar dëmtime tek pacienti”, theksoi Koçiu.

Koçiu tha se fatmirësisht pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministrja Koçiu shprehu mirënjohje për ekipin mjekësor të përbërë nga: Dr. Fatos Olldashi, dr. Irgen Hodaj dhe dr. Eriketa Jaho; infermierët: Sokol Xhafa dhe Irena Ismailaj.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – BBC shkurton 500 vende pune ndërsa përpiqet të kursejë për ‘transformimin’
Artikulli tjetërRama ndan pamje nga lumi i Shalës, i mbushur me turistë