Ballina Bota

SHBA – Biden tërhiqet nga gara presidenciale dhe miraton Harrisin si kandidaten demokrate

UASHINGTON, 21 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi sot në mbrëmje se do të tërhiqet nga gara presidenciale duke hequr dorë nga mandati i dytë.

Njoftimi në platformën e tij X erdhi pas presionit masiv brenda Partisë së tij Demokratike për të mos e paraqitur veten si kandidat zyrtar i partisë.

Në debatin televiziv kundër rivalit të tij Donald Trump në fund të qershorit, 81-vjeçari Biden u shfaq disa herë i ngadaltë – për të dhënë përgjigje koherente ose për të sfiduar gënjeshtrat e shqiptuara nga Trump, duke nxitur shqetësimin mbarëkombëtar nëse ai ishte ende i aftë mendërisht për postin.

Çështja e moshës së Biden që atëherë ka dominuar fushatën zgjedhore në SHBA – dhe është përdorur në mënyrë të përsëritur nga republikani Trump, 78 vjeç, si armë kundër rivalit të tij demokrat.

Deri më tani, Biden ka këmbëngulur se do të vazhdonte garën si kandidat demokrat në zgjedhjet e 5 nëntorit – dhe se ishte i përshtatshëm për postin, duke thënë se “vetëm i Plotfuqishmi” mund ta bënte atë të largohej.

Biden miratoi zëvendëspresidenten Kamala Harris si zëvendësuesen e tij në garën presidenciale. //a.i/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – Një tërmet 5,3 ballë Rihter trondit Kretën
Artikulli tjetërHasani vizitë zyrtare në Korenë e Jugut, takime me drejtuesit më të lartë