Ballina Aktualitet

Meta: SPAK nuk ka vullnet për hetime

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se, SPAK nuk ka vullnet për hetime.

Në një deklaratë për mediet, Meta i cilësoi deklaratat e kreut të SPAK, Altin Dumani si skandaloze.

“Deklarata skandaloze dhe kriminale e drejtuesit të SPAK-ut, që korrupsionin skizofrenik qeveritar e shpalli “krim intelektual të vështirë për t’u zbardhur”, nuk është gjë tjetër veçse shpallja botërisht e amnistisë dhe mungesës së qartë të vullnetit institucional për të hetuar vjedhjet monstruoze”, tha Meta.

Meta nënvizoi se, SPAK nuk ka vullnet, as vështirësi në hetime.

“Ua kemi bërë gati që përpara 4 vitesh, u kemi thënë të zezë në të bardhë, por ata janë thjesht partnerë në krim të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, dhe marrin benefite prej korrupsionit të tyre”, tha Meta.

Sipas tij, “SPAK ka amnistuar mbi 930 milionë euro të vjedhura, dhe të denoncuara nga KLSH në 9 muaj”.

“Është SPAK që amniston ndërtimin e rrugëve 13 herë më shtrenjtë se në BE,  apo të shkollave në Tiranë 10 herë më shtrenjtë se në BE. Prandaj nuk është rastësi që nga 72 mandate arresti të lëshuara nga SPAK, janë burgosur  vetëm 6 persona, dhe një pjesë e tyre ishin vetë në burg për vepra të tjera”, u shpreh Meta.

I pyetur lidhur me 8 urdhërarrestet e kërkuara nga SPAK, por të pa ekzekutuara, Meta u shpreh se,  “tani që vjen një situatë, që ai bën një gafë siç bëri dje në Parlament, gafën e radhë. Ku tha, që ishte krim intelektual, dhe ku të gjithë njerëzit e përgjegjshëm reaguan, se  të gjithë e dinë, se kjo nuk është as vjedhje, kjo është grabitje pa maska, në mes të ditës e qindra milionë euro”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMblidhet Grupi i Gjelbër, iniciativa për energjinë e rinovueshme dhe transportin e qëndrueshëm
Artikulli tjetërMV – Avionë dhe helikopterë nga vendet e Ballkanit ndihmojnë në shuarjen e zjarreve