Ballina Aktualitet

Meta: Qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të ishin të qarta e të prera me kohë

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se “Gjykata Kushtetuese është një institucion i kapur nga Ramaforma dhe qëndrimet e saj duhet të kishin qenë të qarta dhe të prera me kohë. Jo vetëm për këtë çështje, por dhe për të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me interesin publik, apo me interesin kombëtar”.

Në një komunikim për mediet i pyetur rreth kërkesës që Gjykata Kushtetuese i ka drejtuar Kuvendit për mandatin e deputetes së PS-së, Olta Xhaçka, Meta tha se “konflikti i interesave është në nivelet më të jashtëzakonshme”.

Sa i përket zgjedhjeve në Himarë, Meta u shpreh se “dua të vlerësoj se gjithçka është pjesë e një skenari mafioz, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe me parimet mbi të cilat ai funksionon. Gjithçka është bërë fakt i kryer në një kohë rrufe. Duke tentuar për të marrë me dhunë, me forcë, dhe në mënyrë të paligjshme bashkinë e Himarës”.

“Atë që nuk u arrit të merrej as me dhunë, as me forcë dhe as me rrëmbimin mafioz që iu Belerit, dy netë përpara zgjedhjeve. Është tepër e qartë, se vendi është në momentet më të errëta të demokracisë, dhe respektimit të shtetit ligjor”, tha Meta.

Meta tha se “për çështjen e Himarës, ne do të kemi të njëjtin qëndrim me Partinë Demokratike”.

Meta i bëri thirrje anëtarëve, simpatizantëve të Partisë së Lirisë, të gjithë qytetarëve të Tiranës, të bashkohen nesër në një nga manifestimet më historike, kundër narko-shtetit, kundër narko-regjimit dhe në mbrojtje të interesit publik dhe interesave kombëtare.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Ushtria izraelite u bën thirrje banorëve të Gazës të largohen nga qyteti
Artikulli tjetërGJKKO kthen për hetim në SPAK kallëzimin ndaj Guvernatorit Sejko