LONDËR, 10 korrik /ATSH-DPA/- Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer do të përfshihet në një seri takimesh diplomatike – në një përpjekje për të përmirësuar lidhjet e sigurisë me Evropën.
Samiti i NATO-s i kësaj jave dhe mbledhja e Komunitetit Politik Evropian (EPC) të organizuar nga Britania e Madhe më 18 korrik ofrojnë mundësi të hershme për bisedime ballë për ballë mbi të ardhmen e marrëdhënieve të BM-së me fqinjët e saj.
Starmer tha se kjo do të thoshte se një seri takimesh të cilat normalisht do të duheshin muaj për t’i organizuar mund të ndodhin brenda dy javëve të para të detyrës së ë tij si kryeministër.
Nick Thomas-Symonds, të cilit i është dhënë posti i sapokrijuar i ministrit për Marrëdhëniet Evropiane, i është bashkuar Starmer në udhëtimin e tij në Uashington për mbledhjen e NATO-s.
Sekretari i Jashtëm David Lammy dhe sekretari i Mbrojtjes John Healey do të udhëtojnë gjithashtu në Uashington.
Takimi i parë i Starmer në Uashington ishte me Olaf Scholz të Gjermanisë, duke nënvizuar rëndësinë që kryeministri po i jep diplomacisë evropiane.
Gjatë takimit me liderin gjerman ishte edhe Thomas-Symonds.
Starmer u tha gazetarëve se donte të përfitonte plotësisht nga mundësitë diplomatike që i kishte ofruar koha e zgjedhjeve.
“Këto janë takime që ndoshta do të duheshin muaj, muaj dhe muaj që ne të përshtateshim si ekip, nëse nuk do të përfitonim nga ky samit për qëllimet e atyre marrëdhënieve dhe EPC”, tha ai.
“Qëllimi qendror është padyshim i gjithi për NATO-n, por është një mundësi shumë e rëndësishme për të forcuar këto marrëdhënie”, shtoi Starmer.
Kryeministri britanik kërkon të arrijë një marrëdhënie të përmirësuar tregtare me Brukselin, por ai gjithashtu dëshiron një bashkëpunim më të madh të mbrojtjes me BE-në. //a.i/























