Ballina Flash

Kumbaro: Policitë bashkiake të aplikojnë gjobat për ndotësit e mjedisit

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro i bëri apel sot bashkive të aplikojnë gjobat për ndotësit e ambientit.

Duke publikuar pamje nga koshat e boshatisur dhe mbeturinat e hedhura në rrugë, Kumbaro tha se “është vetëm një nga shumë rastet me të cilat përballemi përditë në vijën bregdetare, ku qytetarë e biznese nuk e kanë kuptuar dëmin që i bëjnë mjedisit dhe turizmit, por vazhdojnë avazin e vjetër me plehrat që i hedhin ku t’u vijë për mbarë duke shëmtuar gjithçka”.

“S’duhet të ketë tolerancë. Të gjitha policitë bashkiake duhet të aplikojnë gjobat, siç është edhe ky rast nga Policia Bashkiake e Vlorës, sepse ndotja mjedisore është krim që dënohet”, tha Kumbaro.

Plani Kombëtar i Pastrimit rrënjësor të Shqipërisë nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe vijon në të gjithë vendin.

Procesi i pastrimit në territor kryhet nga bashkitë, por nisur nga flukset e shtuara turistike prej tre vitesh tashmë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të mbështesë njësitë vendore gjatë muajve të fluksit.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani takohet me sekretarin Blinken: Aleanca me SHBA, gurthemeli për stabilitetin global
Artikulli tjetërKomisionet Hetimore, Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht kërkesën e opozitës