TIRANË, 8 korrik /ATSH/- Pas sulmeve të sotme ruse në të gjithë Ukrainën në Spitalin e Fëmijëve “Ohmatdyt” në Kiev, një operacion shpëtimi në shkallë të gjerë po zhvillohet, sipas BBC.
Shërbimet e urgjencës janë angazhuar në terren për të kërkuar të mbijetuarit.
Në fillim, njerëzit formuan një zinxhir njerëzor për të hequr rrënojat pjesë-pjesë.
Dhjetra vullnetarë, mjekë dhe punonjës të shpëtimit po gërmojnë nëpër rrënoja.
Punonjësit e urgjencës në vendngjarje nuk janë të sigurt se sa njerëz – të gjallë apo të vdekur – janë bllokuar brenda rrënojave pas sulmit raketor.
OKB – gjithashtu dënoi sulmet e mëdha ruse në të gjithë Ukrainën, duke thënë se dhjetëra njerëz janë vrarë dhe plagosur.
Në përditësimin më të fundit, të paktën 31 persona u raportuan se ishin vrarë gjatë sulmit, duke përfshirë dy persona në një spital për fëmijë në Kiev.
“Është e pandërgjegjshme që fëmijët të vriten dhe të plagosen në këtë luftë”, tha Denise Brown, koordinatorja humanitare për Ukrainën.
“Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, spitalet kanë mbrojtje të veçantë. Civilët duhet të mbrohen”, tha ajo.
Qeveria e sapozgjedhur e Britanisë së Madhe ka dënuar sulmin e sotem rus në të gjithë Ukrainën.
Sekretari i ri i Jashtëm David Lammy e përshkroi sulmin në spital si “sulmin më të tmerrshëm ndaj civilëve ukrainas”.
“Ne duhet të kërkojmë përgjegjësit për luftën e paligjshme të Putinit”, tha Lammy.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer dënoi ashpër “sulmin ndaj fëmijëve të pafajshëm” duke i quajtur ato si “aktet më të shthurura”. //a.i/























