TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri të ditur sot se helikopteri “Cougar” dhe efektivë të Forcave të Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile i janë bashkuar aksionit për shuarjen e zjarrit mbi fshatrat Sofratikë, Terihat, Goricë, Frashtan, Lugar dhe Grapsh, në bashkinë Dropull, duke mbajtur jashtë rrezikut banorët dhe shtëpitë e tyre.
Ministri tha se në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të bashkive Dropull, Gjirokastër, Finiq, Libohovë, forcat e Policisë së Shtetit, emergjencat civile, etj.
Ai përsëriti thirrjen drejtuar banorëve që të tregojnë kujdes për të shmangur vatra zjarri.
“Në këto ditë, kur pritet që temperaturat të rriten edhe më shumë përsërisim thirrjen drejtuar banorëve të tregojnë kujdes, për të shmangur ngjarje të tilla, që mund të dëmtojnë pasurinë e të gjithëve ne”, deklaroi ai.
/r.e/























