Ballina Flash

Drafti i PS për zgjedhoren, Basha: Sabotimi i votës së diasporës

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me propozimin e PS për zgjedhoren.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se dështimi i Reformës Zgjedhore, kishte pikërisht këtë qëllim, që shqiptarët të mos zgjidhnin me votën e tyre deputetët në parlament dhe që të pamundësohet vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Basha sjell në vëmendje propozimet e Demokratëve Euroatlantikë për lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore dhe garantimi i votës së diasporës, të cilat ndodhen prej muajsh në sirtarët e Kuvendit.

Ndërsa më tej, ai thotë se, shqiptarët do të kenë mundësi të shohin në Kuvendin e Shqipërisë se kush është për lista te hapura dhe kush jo, kush është pjesë e pazarit me Edi Ramën ne kurriz të shqiptarëve dhe kush mbron interesin e tyre.

“Sabotimi i listave të hapura dhe i votës së diasporës është kurorëzimi i një plani anti-demokratik kundër interesave të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Basha.

“Sot në Kuvendin e Shqipërisë janë dy nisma, ajo për lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore dhe garantimi i votës së diasporës, të propozuar prej nesh, Demokratëve Euroatlantikë, dhe propozimi i socialistëve që sërish i mban listat e mbyllura dhe u pamundëson shqiptarëve jashtë vendit të votojnë”, nënvizoi Basha.

“Shqiptarët do të kenë mundësi tashmë të shohin në Kuvendin e Shqipërisë se kush është për lista të hapura dhe kush jo, kush është pjesë e pazarit me Edi Ramën në kurriz të shqiptarëve dhe kush mbron interesin e tyre”, shtoi më tej kreu i demokratëve euroatlantikë.

Basha u shpreh se, frika nga vota e lirë, frika nga humbja e pushtetit, frika nga fundi i pandëshkueshmërisë, nuk mund të mbajnë peng vullnetin e shumicës së qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim të vërtetë.

“Qytetarët shqiptarët meritojnë një Reformë Zgjedhore të vërtetë”, theksoi Basha.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUlja e normës së interesit, eksperti Meka për ATSH-në: Rrit kreditimin dhe konsumin
Artikulli tjetërMuzeu i Artit Mesjetar, fokus përcjelljen ndër breza të trashëgimisë popullore