TIRANË, 6 korrik/ ATSH/- Policia e Shkodrës njofton se ka asgjësuar 15 547 bimë kanabis Sativa në zonën e Vaut të Dejës.
Sipas njoftimit për mediat, asgjësimi i kanabisit u realizua pas kontrolleve intensive, në kuadër të megaoperacionit policor kombëtar të koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Kontrollet nga ajri u kryen në zona me terren shumë të vështirë, me mbështetjen e helikopterit të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe shërbime të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë dhe Shkodër. gjatë kontrollit të territorit, në njësitë administarative Shllak dhe Temal të Vaut të Dejës, gjetën dhe asgjësuan 15 547 fidanë e bimë kanabis. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon”, përfundon njoftimi i Policisë së Shkodrës.













