TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi sot në seancën plenare të Kuvendit interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për ish-këshilltarin rumun.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u shpreh se, kërkesa nuk është në përputhje me parashikimin e rregullores së Kuvendit.
Bardhi në fjalën e tij tha se, “interpelanca nuk është mjet për debat politik, por mjet për llogaridhënie. Kushtetuta mbi të cilën je betuar kërkon që kryeministri është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës për interpelancë”.
Bardhi theksoi se, “ne kemi kërkuar interpelancë se ekzistojnë dokumente zyrtare që Rama ka emëruar këshilltar një agjent të shërbimeve sekrete rumune dhe këtu ka një shkelje dhe rezulton se ky person përveçse i përfshirë në veprimtari korruptive është lidhur me trafikun e drogës që lidh Meksikën me Shqipërinë”.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka dënuar gjuhën e përdorur nga kreu i grupit të opozitës gjatë seancës së sotme.
“Nuk mundet asnjë deputet të flasë me atë gjuhë dhe të akuzojë me atë gjuhë”, tha Çuçi.
“Koha kur Damir Fazlliç ulej në Këshillin e Sigurisë ka kaluar. Nuk ka krahasim të marrësh një njeri nga llumi i mafies sllave e ta vendosesh në krye të Këshillit të Sigurisë”, deklaroi kreu i grupit të PS.
Në përgjigje të akuzave të kryetarit të grupit të opozitës për ish-zyrtarin rumun, Çuçi sqaroi se, “personi për të cilin kryetari i grupit kërkoi interpelancë është një ish-zyrtar i lartë i shërbimeve inteligjente, me gradën gjeneral që ka udhëhequr procese që lidhen me luftën kundër korrupsionit”.
“Kryeministri shqiptar e ka marrë në këtë pozicion kur nuk ishte më në atë detyrë. Në momentin që kryeministri e ka marrë vesh që ai po hetohet, e ka larguar. Nëse akuzohet në vendin e tij, kjo është çështje e tij”, tha Çuçi.


















