Ballina Bota

IZRAEL – Netanyahu shpërndan kabinetin e luftës pas dorëheqjes së disa anëtarëve

TEL AVIV, 17 qershor /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpërndau sot kabinetin e tij të luftës, konfirmoi një zëdhënëse e kryeministrit.

Organi kryesor vendimmarrës politik për mënyrën se si po zhvillohej lufta në Gazë u shpërbë pak më shumë se një javë pas tërheqjes së liderit me ndikim të opozitës, Benny Gantz.

Mediat izraelite kishin nxjerrë më herët lajmin për shpërbërjen e kabinetit, i cili u formua pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit. Lajmin e konfirmoi sot një zëdhënëse e Netanyahut.

Burime qeveritare thanë se Netanyahu do të diskutojë vendimet kritike në lidhje me konfliktin në forume më të vogla në të ardhmen.

Kabineti ishte formuar në një përpjekje për të demonstruar unitet politik pas sulmit të Hamasit.

Netanyahu drejton një qeveri të përbërë nga parti të ekstremit të djathtë dhe fetar, por pjesë e kabinetit të luftës ishte edhe Gantz, një figurë kyçe e opozitës.

Javën e kaluar, Gantz – një ish-gjeneral dhe ministër i Mbrojtjes – njoftoi tërheqjen e tij për shkak të dallimeve të opinioneve në lidhje me luftën në Gazë – dhe atë që do të ndodhte me Gazën pas përfundimit të luftës.

Një anëtar vëzhgues i kabinetit, Gadi Eisenkot, gjithashtu u tërhoq, duke rritur pritshmëritë për shpërndarjen e kabinetit. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArtistja polake, murale në pikëkalimet kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës
Artikulli tjetërRriten këmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri